Elena Sadiku është në mesin e pesë kandidatëve për çmimin e trajnerit më të mirë të vitit në futbollin e femrave, në kuadër të “Topit të Artë” 2026. Fituesit do të shpallen të hënën, më 26 tetor, në ceremoninë që do të zhvillohet në teatrin London Palladium në Londër.
Trajnerja me prejardhje nga Kosova figuron në listën zyrtare me Suedinë dhe klubet Celtic e Häcken. Për të njëjtin çmim konkurrojnë Jonatan Giráldez i OL Lyonnes, Andrée Jeglertz i Manchester Cityt, Nils Nielsen i përfaqësueses së Japonisë dhe Pere Romeu i Barcelonës.
Sipas Telegrafit, Sadiku, 32 vjeçe, është kandidatja më e re në këtë kategori. Nominimi i saj vjen pas triumfit me BK Häckenin në Kupën Evropiane të Femrave. Për klubin suedez, të themeluar më 1970, ky ishte trofeu i parë ndërkombëtar.
Në krye të Häckenit, Sadiku pasoi Mak Lindin, nën drejtimin e të cilit skuadra kishte fituar kampionatin suedez. Me drejtimin e saj, ekipi i shtoi titullit kombëtar edhe trofeun evropian.
Në listat e këtij edicioni është edhe Felicia Schröder, e përfshirë me Häckenin dhe Real Madridin, e cila konkurron për çmimin e lojtares më të mirë të re. Përballë saj në këtë kategori janë dy lojtaret e Barcelonës, Vicky López e Clara Serrajordi, si dhe Veerle Buurman e Chelseat dhe Lily Yohannes e OL Lyonnes.
Në kategorinë e trajnerëve të futbollit të meshkujve janë nominuar Mikel Arteta, Luis de la Fuente, Unai Emery, Vincent Kompany dhe Luis Enrique. Ky i fundit e fitoi çmimin në vitin 2025, ndërsa te femrat fituese ishte Sarina Wiegman.
Ceremonia e vitit 2026 shënon 70-vjetorin e çmimit të krijuar nga France Football. Londra e pret për herë të parë këtë ngjarje, me përzgjedhjen e qytetit që nderon fituesin e parë, anglezin Stanley Matthews. Mbrëmja do të drejtohet nga Thierry Henry dhe Kate Scott dhe do të nisë në orën 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore. /UEFA
Raporto një pasaktësi