Real Madridi ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Javier Tebasit nga drejtimi i La Ligës dhe posti i zëvendëspresidentit të Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës (RFEF), pasi ai krahasoi mënyrën e komunikimit të klubit me metodat propagandistike të Joseph Goebbelsit.

Në qendër të përplasjes është roli i Real Madrid TV. Në një postim të premten në rrjetin X, Tebasi pretendoi se televizioni zyrtar dhe zërat mbështetës të klubit shërbejnë për të përforcuar mesazhet e drejtuesve madrilenë. Ai e akuzoi klubin se i paraqet episodet e lojës në mënyrë të njëanshme për të nxitur dyshime dhe armiqësi.

Pikërisht lidhja që Tebasi bëri mes kësaj strategjie të pretenduar dhe propagandës së Goebbelsit, ministrit të regjimit nazist, solli kërkesën për largimin e tij. Reali argumentoi se përgjegjësitë që ai mban në dy institucionet e futbollit spanjoll e bëjnë të papranueshëm përdorimin e një krahasimi të tillë ndaj klubit, drejtuesve dhe televizionit të tij.

Tebasi më pas bëri dallimin mes metodave të komunikimit dhe bindjeve ideologjike, duke thënë se krahasimi lidhej vetëm me të parat. Për Realin, ky shpjegim nuk e ndryshonte peshën e deklaratave: klubi e konsideroi krahasimin fyes dhe e përfshiu atë në një varg sulmesh që ia atribuon kreut të La Ligës.

Mosmarrëveshjet mes palëve kanë përfshirë si organizimin e futbollit evropian, ashtu edhe arbitrimin në Spanjë. Tebasi ka kundërshtuar qëndrimin e Realit dhe të presidentit Florentino Pérez për projektin e Superligës Evropiane të vitit 2021.

Në vitin 2025, ai reagoi ashpër ndaj ankesës zyrtare të Realit në federatë për arbitrimin në kampionat. Muajin e kaluar, Tebasi kritikoi edhe pretendimet e klubit se kishte një komplot të arbitrave kundër tij.

Në komunikatën e tij, klubi tha se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe prestigjin institucional, si dhe të kërkojë zbardhjen e plotë të çështjes Negreira dhe reforma në futbollin spanjoll. /BBC

Raporto një pasaktësi