Real Madridi parashikon të arrijë rreth 1.4 miliardë euro të ardhura në sezonin 2026/2027, një nivel që do të shënonte rekord të ri për klubin. Sipas gazetës AS, drejtuesit presin gjithashtu një fitim neto prej 14.2 milionë eurosh.
Ky parashikim do të tejkalonte të ardhurat prej 1.221 miliardë eurosh të regjistruara sezonin e kaluar. Në qendër të rritjes së pritshme janë aktivitetet e stadiumit “Santiago Bernabeu”, marrëveshjet me sponsorët dhe të ardhurat nga transferimet e futbollistëve.
Bernabeu pritet të sjellë rreth 420 milionë euro. Kjo shumë përfshin burime të ndryshme të lidhura me stadiumin, nga anëtarësimet dhe shitja e biletave te muzeu, hapësirat VIP dhe organizimi i ngjarjeve të tjera, përtej ndeshjeve të futbollit.
Të ardhurat nga sponsorët parashikohet të rriten me 22 për qind. Në këtë rritje pritet të ndikojnë marrëveshjet e reja me Adidasin dhe Emirates, bashkëpunimet me Hotels.com e Uber Eats, si dhe rinovimet e kontratave me Orange dhe San Miguel.
Një kontribut tjetër i rëndësishëm pritet nga shitjet e lojtarëve, me të ardhura të parashikuara prej 154.8 milionë eurosh. Në këtë shumë kanë kontribuar shitjet e futbollistëve të dalë nga akademia, si Gonzalo García, César Palacios, Nico Paz, Jacobo Ortega dhe Víctor Muñoz.
Llogaritë dhe planet financiare do t’u paraqiten për miratim anëtarëve përfaqësues më 21 nëntor 2026. Klubi ka njoftuar zyrtarisht se Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme do të shqyrtojë pasqyrat financiare të vitit 2025/2026 dhe buxhetin e konsoliduar të të ardhurave e shpenzimeve për vitin 2026/2027.
Mbledhja do të zhvillohet në pavijonin e basketbollit në Ciudad Real Madrid, me pjesëmarrje fizike dhe në internet. Në rendin e ditës është edhe propozimi për kuotat e anëtarësimit për sezonin 2027/2028. /GOAL
Raporto një pasaktësi