Shqipëria U-19 do të përballet me Qipron dhe Armeninë në raundin e dytë të kualifikueseve për Kampionatin Europian 2026/27. Kombëtarja shqiptare është pjesë e Grupit B6 të Ligës B, ku do të synojë vendin e parë për të kaluar në Ligën A dhe për të vazhduar garën drejt fazës finale.
Ndeshja e parë e kuqezinjve do të jetë kundër Qipros, më 11 nëntor 2026, në orën 13:30. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Sotira Municipal Stadium”, në Qipro, vendi pritës i miniturneut të këtij grupi.
Më 14 nëntor, Shqipëria do të luajë kundër Armenisë. Edhe kjo përballje është planifikuar në të njëjtin stadium, me fillim në orën 13:30.
Sipas formatit të UEFA-s, vetëm fituesi i secilit grup të Ligës B ngjitet në Ligën A për raundin e tretë.
Liga B përfshin gjithsej 26 kombëtare, të ndara në pesë grupe me nga katër skuadra dhe dy grupe me nga tri. Grupi i Shqipërisë është njëri prej dy grupeve me nga tri pjesëmarrëse.
Edicioni 2026/27 është i pari me formatin e ri të kualifikueseve, të ndara në tre raunde. Raundi i parë u zhvillua në pranverën e vitit 2026, ndërsa i dyti është parashikuar të zhvillohet nga 11 deri më 17 nëntor.
Shorti i raundit të tretë do të hidhet më 10 dhjetor dhe ndeshjet do të luhen në pranverën e vitit 2027. Nga ai raund do të dalin shtatë kombëtaret që do t’i bashkohen Çekisë, si vend pritës, në turneun final, të planifikuar nga 18 qershori deri më 1 korrik 2027. /FSHF
Raporto një pasaktësi
