Portugalia e mposhti Norvegjinë 2:1 në Oslo, në ndeshjen e dytë të Grupit A4 të Ligës së Kombeve. Gonçalo Ramos vendosi përballjen me golin e tij pas barazimit të vendasve, ndërsa Cristiano Ronaldo qëndroi në stol dhe nuk u aktivizua.

Portugezët kaluan në epërsi në minutën e 17-të. João Félix shfrytëzoi një pasim të Pedro Netos për të shënuar golin e parë të takimit dhe për t’u dhënë avantazhin mysafirëve.

Norvegjia kërkoi përgjigjen përmes rasteve të Martin Odegaardit dhe Erling Haalandit, por të dy nuk arritën ta mposhtnin portierin Costa. Barazimi erdhi në minutën e 51-të, kur Haaland shënoi nga afërsia pas një asistimi me kokë të Bergut.

Reagimi i Portugalisë ishte i shpejtë. Në minutën e 54-të, Ramos përfitoi nga një gabim i portierit norvegjez dhe realizoi me parabolë, duke e rikthyer ekipin e tij në epërsi. Ky doli të ishte edhe goli që i siguroi fitoren Portugalisë.

Ramos e dërgoi topin sërish në rrjetë tre minuta më vonë, por goli nuk u pranua. Pas ndërhyrjes së VAR-it, goli u anulua për pozitë jashtë loje dhe rezultati mbeti 2:1 për mysafirët.

Në kohën shtesë, Bernardo Silva u ndëshkua me karton të verdhë për një ndërhyrje ndaj Odegaardit, pasi norvegjezi e kishte larguar topin. Sipas Telegrafit, Odegaardi mori trajtim pas ndeshjes dhe u largua nga stadiumi duke çaluar. Në prononcimin për mediat, ai e kritikoi ndërhyrjen e portugezit.

Me këtë fitore, Portugalia arriti në gjashtë pikë dhe kryeson Grupin A4. Norvegjia mbeti e dyta me tri pikë, po aq sa Danimarka në vendin e tretë. Uellsi renditet i fundit, pa pikë. /KOHA

Raporto një pasaktësi