Netflix ka siguruar të drejtat e transmetimit të Kupës së Botës 2030 për Spanjën dhe Andorrën. Platforma njoftoi se do t’i ofrojë drejtpërdrejt të 104 ndeshjet e turneut, duke transmetuar për herë të parë Botërorin e meshkujve.

Marrëveshja përfshin të drejtat ekskluzive për të dy tregjet, por parashikon edhe qasje pa pagesë për publikun në Spanjë. Sipas njoftimit të kompanisë, një ndeshje në çdo ditë me takime të Botërorit do të mund të ndiqet falas.

Veç kësaj, një televizioni kombëtar spanjoll me transmetim pa pagesë do t’i ofrohet një paketë që përfshin të gjitha ndeshjet e Spanjës, të dyja gjysmëfinalet dhe finalen. Netflix do t’i bëjë të ditura më vonë hollësitë e bashkëpunimit me televizionin që do t’i transmetojë këto takime.

Mbulimi i planifikuar nuk kufizohet te ndeshjet. Kompania parashikon programe para takimeve, gjatë pushimit dhe pas përfundimit të tyre, me përmbajtje të përshtatur për publikun spanjoll. Në ditët e ndeshjeve do të ketë edhe një program përmbledhës ditor, si dhe përmbajtje përgatitore përpara nisjes së turneut.

Botërori i vitit 2030 do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku. Argjentina, Uruguai dhe Paraguai do të presin gjithashtu ndeshje në kuadër të shënimit të njëqindvjetorit të garës.

Kjo marrëveshje e zgjeron praninë e Netflix në futbollin ndërkombëtar. Platforma ka tashmë të drejtat për Botërorin e femrave të viteve 2027 dhe 2031 në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Netflix ka transmetuar më parë edhe ngjarje të drejtpërdrejta sportive, përfshirë ndeshje të NFL-së, WWE dhe boks. Në dhjetor, platforma do të transmetojë edhe përballjen e peshave të rënda mes Tyson Furyt dhe Anthony Joshuas. /BBC

Raporto një pasaktësi