Vincenzo Montella nuk e mendon dorëheqjen nga posti i përzgjedhësit të Turqisë, pavarësisht humbjes 4:1 ndaj Italisë në Bursa dhe kërkesave të tifozëve për largimin e tij. Pas takimit të Ligës së Kombeve, trajneri italian shprehu besimin te puna e bërë dhe te futbollistët e tij.

Turqia vinte nga humbja 1:0 ndaj Francës dhe pësoi disfatën e dytë radhazi në këtë edicion të garës. Gjatë përballjes me Italinë, tifozët vendas fishkëllyen Montellan dhe kërkuan që ai të largohej nga drejtimi i kombëtares.

Montella pranoi se skuadra e kishte merituar reagimin e tribunave, veçanërisht për paraqitjen në pjesën e parë. Në analizën e tij pas ndeshjes, ai tha se Turqia nuk kishte arritur t’i përgjigjej qasjes së kundërshtarit, duke e cilësuar këtë si një shqetësim.

Sipas trajnerit, paraqitja u përmirësua në pjesën e dytë. Ai veçoi reagimin pasi rezultati shkoi në 3:1 dhe përmendi edhe një gol të anuluar të Turqisë. Megjithatë, Montella theksoi se kombëtarja e tij nuk ishte mësuar të luante çdo tri ditë në një nivel të tillë.

I pyetur drejtpërdrejt për të ardhmen, italiani tha se dorëheqja nuk ishte në agjendë. Ai shtoi se, nëse largimi do të bëhej temë diskutimi, do të fliste me lojtarët. Montella deklaroi gjithashtu se kishte zgjedhur të qëndronte edhe kur kishte marrë oferta të tjera të rëndësishme.

Përzgjedhësi tha se e ndiente mbështetjen e futbollistëve dhe kërkoi që skuadra të mos gjykohej vetëm nga kjo ndeshje. Ai shpjegoi se stafi ishte përpjekur të ruante qetësinë dhe të motivonte lojtarët gjatë analizës, me synimin që të nxirrnin mësime pa humbur vetëbesimin.

Montella, 52 vjeç, e mori drejtimin e kombëtares turke në shtator të vitit 2023. Kontrata e tij është e vlefshme deri në verën e vitit 2028. /TELEGRAFI

Raporto një pasaktësi