Abdallah Sima shënoi të pesë golat e Lens në fitoren 5:2 në udhëtim ndaj Angers në Ligue 1. Sulmuesit senegalez iu deshën vetëm 38 minuta nga goli i parë te i fundit për të vendosur një ndeshje në të cilën skuadra e tij ishte dy herë në disavantazh.

Angers kaloi i pari në epërsi, por Sima barazoi në minutën e 43-të me një goditje nga ana e majtë e zonës. Me rezultatin 1:1 u mbyll pjesa e parë, ndërsa vendasit rikthyen epërsinë pak pas pushimit.

Barazimi i dytë i Lens erdhi në minutën e 64-t. Saud Abdulhamid shërbeu brenda zonës për Simën, i cili goditi ulët me të djathtën drejt këndit të majtë. Gjashtë minuta më vonë, senegalezi shënoi pas një pasimi të Matthieu Udol dhe e kaloi për herë të parë skuadrën e tij në avantazh.

Sima e çoi rezultatin në 4:2 në minutën e 76-të, pas një aksioni ku Abdulhamid u përfshi në ndërtim dhe Florian Thauvin dha pasimin përfundimtar. Në të 81-tën, ai realizoi me kokë pas harkimit të Florian Sotoca, përpara se të largohej nga fusha në minutën e 84-t.

Me këtë paraqitje, 25-vjeçari u bë lojtari i parë që shënon pesë herë në një ndeshje të pesë ligave kryesore evropiane që nga Luka Joviq, për Eintracht Frankfurt kundër Fortuna Düsseldorf në tetor 2018.

Në kampionatin francez, një arritje e tillë nuk ishte regjistruar që nga tetori i vitit 2014, kur Carlos Eduardo shënoi pesë gola për Nice kundër Guingamp. Sima kishte realizuar vetëm një herë në gjashtë paraqitjet e tij të mëparshme në Ligue 1.

Suksesi ishte edhe fitorja e parë për trajnerin e ri Didier Digard, në ndeshjen e tij të tretë në drejtimin e Lens. Ky rezultat e ngjiti skuadrën në vendin e shtatë të tabelës. /BBC

Raporto një pasaktësi