Lionel Messi do ta mbyllë karrierën me Kombëtaren e Argjentinës më 6 tetor 2026, në miqësoren kundër Beninit në stadiumin Monumental të Buenos Airesit. Përzgjedhësi Lionel Scaloni konfirmoi lamtumirën e sulmuesit dhe pranoi se do ta ketë të vështirë të mos qajë gjatë përshëndetjes me kapitenin.
Messi, 39 vjeç, e njoftoi tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar në fund të gushtit. Ndeshja në Buenos Aires do t’i japë mundësinë të përshëndetet me tifozët argjentinas në fushë, pas një karriere me kombëtaren që nisi me debutimin e tij në vitin 2005.
Scaloni shpjegoi se kishte ndihmuar personalisht që kjo paraqitje të organizohej gjatë këtij grumbullimi. Trajneri dëshironte të ishte në stol për lamtumirën e Messit, pasi, siç tha, nuk e dinte nëse do të ishte i disponueshëm më vonë. Ai theksoi se kapiteni duhej të përshëndetej në mënyrën që dëshironte vetë.
Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Chiqui Tapia, kishte njoftuar se vendimi për ta ftuar Messin ishte marrë pas një bisede me Scalonin. Për këtë takim është paralajmëruar edhe prania e të gjithë kampionëve të botës të Katarit 2022, së bashku me familjet e tyre, për ta shoqëruar në lamtumirë.
Argjentina ka planifikuar tri miqësore në këtë grumbullim. Fillimisht do të përballet me Bolivinë më 30 shtator në Córdoba dhe më pas me Burkina Fason më 3 tetor. Messi është thirrur vetëm për takimin e fundit ndaj Beninit; edhe Rodrigo De Paul dhe Giovani Lo Celso do të jenë në dispozicion vetëm për atë ndeshje.
Para lamtumirës, Messi numëron 207 paraqitje dhe 125 gola me Argjentinën, duke mbajtur rekordet e kombëtares në të dyja kategoritë. Me fanellën argjentinase ai fitoi Kupën e Amerikës në vitet 2021 dhe 2024, si dhe Kupën e Botës në vitin 2022. /GOAL
Raporto një pasaktësi
