Partizani ka emëruar Mislav Karoglanin në krye të skuadrës, me një kontratë dyvjeçare. Trajneri kroat, 44 vjeç, merr vendin e Florin Bratut, i cili u shkarkua pas humbjes në derbin kundër Tiranës.

Karoglan është prezantuar nga presidenti Gazment Demi dhe do të punojë për herë të parë në futbollin shqiptar. Emërimi vjen në një moment të vështirë për të kuqtë, që pas gjashtë javëve të para të Kategorisë Superiore ndodhen në vendin e parafundit.

Partizani ka grumbulluar vetëm katër pikë, me një fitore, një barazim dhe katër humbje. Tri prej humbjeve kanë ardhur radhazi, duke e lënë skuadrën në kërkim të ndryshimit të ecurisë me trajnerin e ri.

Përpara kalimit në Tiranë, Karoglan drejtoi Ballkanin e Suharekës nga nëntori i vitit të kaluar deri në gusht të këtij viti. Ajo ishte përvoja e tij e fundit në stol përpara marrëveshjes me Partizanin.

Në karrierën e tij, tekniku kroat ka drejtuar edhe Hajdukun e Splitit dhe Istrën në Kroaci, si dhe Sheriff Tiraspolin në Moldavi.

Debutimi i Karoglanit në pankinën e Partizanit pritet të jetë të dielën, në ndeshjen në transfertë kundër Vorës. /ABC NEWS

Raporto një pasaktësi