Interi fitoi 3-1 në transfertë ndaj Bolognas në javën e shtatë të Serie A, duke përmbysur disavantazhin dhe duke marrë përkohësisht kreun e renditjes. Skuadra e Cristian Chivut arriti në 19 pikë, dy më shumë se Roma.

Në stadiumin “Dall’Ara”, vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 10-të. Tommaso Pobega depërtoi në zonë me një veprim individual dhe e dërgoi topin në këndin e poshtëm të majtë të portës së Josep Martinezit.

Interi e gjeti barazimin pak para pushimit. Në minutën e 44-t, Nicolo Barella harkoi në zonë dhe Marcus Thuram fitoi duelin në ajër me mbrojtësit, duke shënuar me kokë për 1-1. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Pas pushimit, zikaltërit shtuan presionin dhe në minutën e 69-të kaluan në avantazh. Piotr Zielinski shërbeu për Carlos Auguston, i cili realizoi nga afërsia. Carlos Augusto kishte hyrë nga stoli dhe goli i tij ndryshoi rrjedhën e rezultatit.

Më pas, Ange-Yoan Bonny e dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozitë jashtë loje pas rishikimit me VAR. Sulmuesi francez shënoi sërish në fund, këtë herë pas një pasimi të Carlos Augustos, duke finalizuar në portën e zbrazët për 3-1.

Carlos Augusto dhe Bonny, të dy të aktivizuar nga stoli, shënuan golat që vendosën takimin. Interi pati më shumë goditje se Bologna dhe e mbylli ndeshjen me 67 për qind të zotërimit të topit.

Chivu kishte lënë në stol Çalhanoglun dhe Mkhitaryanin, ndërsa Lautaro Martinez mungoi për shkak dëmtimi. Fitorja në kampionat erdhi pak ditë pas humbjes së rëndë ndaj Club Brugge në “San Siro”, në Ligën e Kampionëve. /TELEGRAFI

Raporto një pasaktësi