Manchester Unitedi pësoi humbje 4:1 në udhëtim ndaj Comos, në xhiron e tretë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve. Pas ndeshjes, kapiteni Bruno Fernandes vuri në diskutim qasjen taktike të skuadrës, ndërsa trajneri Michael Carrick mori përgjegjësinë për paraqitjen dhe u kërkoi falje tifozëve.
Como kaloi në epërsi që në minutën e dytë me golin e Nico Pazit. Për Unitedin ishte ndeshja e dytë radhazi në këtë garë që pësonte gol brenda dy minutave të para, pas humbjes 2:0 ndaj Atletico Madridit, kur Pablo Barrios kishte shënuar në minutën e parë.
Sipas Telegrafit, kjo e bëri Unitedin skuadrën e parë angleze që pësonte gol kaq herët në dy ndeshje të njëpasnjëshme në garat kryesore evropiane për klube.
Në prononcimin për TNT Sports pas humbjes në Como, Fernandes shpjegoi se stafi kishte zgjedhur të mos ushtronte presion individual ndaj kundërshtarëve. Ai vlerësoi se hapësirat e lëna i kishin dhënë besim skuadrës italiane dhe se Unitedi duhej të tregonte më shumë guxim me presion më lart në fushë.
I pyetur nëse Carrick kishte gabuar taktikisht, kapiteni ia la trajnerit dhe stafit vlerësimin e kësaj çështjeje. Megjithatë, ai këmbënguli te nevoja për të marrë më shumë rrezik për ta vënë kundërshtarin në vështirësi.
Carrick, kur u njoh me komentet e Fernandesit në konferencën për media, u përqendrua te angazhimi i lojtarëve. Ai theksoi se asnjë sistem apo taktikë nuk sjell fitore pa vrapime përpara dhe prapa.
Pas vërshëllimës përfundimtare, trajneri shkoi drejt 700 tifozëve udhëtues dhe ngriti duart në shenjë ndjese. Carrick e cilësoi mënyrën e lojës së skuadrës të papranueshme dhe nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve për të ardhmen e tij në detyrë. /BBC
Raporto një pasaktësi

