Ndeshja mes Anglisë dhe Republikës së Irlandës në Botërorin U15 në Baku u ndërpre pasi skuadra angleze u largua nga fusha për shkak të një pretendimi se një lojtar kundërshtar kishte përdorur një fyerje raciste. Republika e Irlandës kryesonte 4:1 në çastin e incidentit.
FIFA ka nisur hetimin dhe po mbledh raportet zyrtare për çështjen, e cila do t’i kalojë komisionit të pavarur disiplinor për vendim. Organizata sqaroi se arbitri e ndërpreu takimin pas refuzimit të Anglisë për të vazhduar lojën.
Incidenti ndodhi në minutën e fundit të takimit të Grupit C. Një përplasje mes futbollistëve të të dyja skuadrave u pasua nga ankesa e një lojtari anglez te stafi i tij teknik.
Trajneri Matt Thorpe kërkoi ndërhyrjen e arbitrit, ndërsa stafi anglez ia përcolli atij pretendimin për fyerje raciste. Lojtarët u thirrën të dilnin nga fusha dhe një ndihmëstrajner njoftoi se skuadra nuk dëshironte të luante më.
Pasuan debate mes dy stafeve teknike. Përfaqësuesit e të dyja palëve thanë se po përpiqeshin të mbronin lojtarët e tyre.
Turneu zhvillohet për herë të parë si Botërori dhe Festivali U15 dhe përfshin 189 vende e territore. Formati parashikon tetë lojtarë për skuadër, fusha më të vogla dhe dy pjesë me nga 20 minuta. /BBC
Raporto një pasaktësi