Egnatia mposhti Vllazninë 3-1 të dielën, në javën e shtatë të Superligës shqiptare. Kampionët ruajtën vendin e dytë me 18 pikë, vetëm një më pak se Teuta kryesuese, falë dy golave në pjesën e parë dhe një tjetri pranë fundit.

Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede kaloi në epërsi që në minutën e nëntë. Albaneze shndërroi në gol një penallti, duke i dhënë Egnatias avantazhin e hershëm përballë shkodranëve, të cilët vinin pas fitores ndaj Dinamos.

Vendasit e dyfishuan rezultatin në minutën e 41-të me Agjesën. Goli i sulmuesit i dërgoi skuadrat në pushim me shifrat 2-0 dhe i dha Egnatias një epërsi të rëndësishme për pjesën e dytë.

Vllaznia reagoi pas pushimit, duke kërkuar më shumë në sulm. Perez ngushtoi diferencën pas afërsisht një ore lojë dhe riktheu mundësinë e një rezultati pozitiv për miqtë. Shkodranët krijuan edhe raste të tjera, por nuk arritën ta barazonin takimin.

Dede ndërhyri me tre lojtarë të freskët, duke aktivizuar Fernandon, kapitenin Aleksi dhe Lukilin. Të tre kishin qenë titullarë në përballjen e së enjtes ndaj Mitjilandit në Ligën e Konferencës, vetëm tri ditë para kësaj ndeshjeje të kampionatit.

Fitoren e vulosi Ildi Gruda në minutën e 86-të. Ish-lojtari i Vllaznisë shënoi për 3-1 dhe nuk festoi, duke u kërkuar falje tifozëve shkodranë.

Për Egnatian, ky sukses erdhi një javë pas fitores 2-0 në fushën e Laçit. Në krye të renditjes mbeti Teuta, e cila e kishte mbyllur javën e shtatë me fitoren 2-0 ndaj Dinamo City.

Vllaznia mbeti në vendin e parafundit me pesë pikë. Pas saj renditej vetëm Partizani me katër, ndërsa Skënderbeu, në vendin e tetë, kishte gjashtë pikë. /ABC NEWS

Raporto një pasaktësi