Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar hapjen e shitjes së biletave për ndeshjen ndaj Izraelit, më 1 tetor 2026 në Debrecen të Hungarisë. Shitja për sektorin e Kosovës mbyllet më 30 shtator, në orën 20:00.

Përballja i takon xhiros së tretë të Ligës së Kombeve dhe luhet në terren neutral, me Izraelin si vendas. Kosova vjen pas humbjes ndaj Austrisë, ndërsa izraelitët kanë pësuar dy humbje në Ligën B.

Ndeshja në stadiumin Nagyerdei nis në orën 20:45, kurse dyert hapen në orën 19:15. Stadiumi ka mbi 20 mijë ulëse dhe tifozëve të Kosovës u është caktuar sektori D3. Sipas TopSportit, bileta më e lirë kushton 105 euro.

Gjatë regjistrimit, blerësit duhet të japin numrin dhe fotografinë e letërnjoftimit ose pasaportës, emrin dhe mbiemrin siç figurojnë në dokument, si dhe adresën e emailit.

FFK-ja ka paralajmëruar se tifozët që japin të dhëna të pasakta ose identiteti i të cilëve nuk përputhet me regjistrimin e biletës, nuk do të lejohen të hyjnë në stadium.

Në hyrje, tifozët duhet të paraqesin të njëjtin dokument identifikues që kanë përdorur gjatë blerjes së biletës. /TELEGRAFI

Raporto një pasaktësi