Brazili u kthye te fitorja duke mundur Australinë 4:2 në Brisbane, në miqësoren e dytë radhazi mes dy përfaqësueseve. Skuadra e Carlo Ancelottit përmbysi disavantazhin e pjesës së parë, por suksesi u shoqërua me largimin e Raphinhës nga fusha për shkak të një shqetësimi muskulor.

Takimi erdhi tri ditë pas barazimit mes tyre dhe kritikave ndaj paraqitjes së Brazilit. Këtë herë, brazilianët e nisën me gol që në minutën e tretë, kur Vanderson i kaloi në epërsi. Megjithatë, avantazhi i hershëm nuk u mjaftoi për të ruajtur kontrollin e rezultatit deri në pushim.

Australia reagoi me dy gola në pjesën e parë. Alessandro Circati barazoi në minutën e 28-të, ndërsa Connor Metcalfe shënoi në të 33-tën për t’i dhënë përfaqësueses vendëse epërsinë 2:1.

Brazili arriti ta shmangte shkuarjen në pushim në disavantazh. Në minutën e 45-të, Raphinha u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe vendosi barazimin 2:2, duke mbyllur një pjesë të parë me katër gola dhe ndryshime të epërsisë.

Në fillim të pjesës së dytë, Ancelotti e zëvendësoi Raphinhën me Endrickun. Sipas njoftimit të Federatës Braziliane të Futbollit, të cituar nga Telegrafi, sulmuesi i Barcelonës ndjeu shqetësim në kofshën e djathtë. Natyra dhe shkalla e dëmtimit mbetën të paqarta.

Bruno Guimaraes e riktheu Brazilin në epërsi në minutën e 69-të. Më pas, Vinicius Junior realizoi nga penalltia në të 80-tën, duke vendosur rezultatin përfundimtar 4:2. Ishte goli i dytë i brazilianëve nga pika e bardhë në këtë takim.

Në programin e Brazilit është edhe një tjetër ndeshje miqësore. Përfaqësuesja e drejtuar nga Ancelotti do të përballet me Indinë më 3 tetor. /KOHA

Raporto një pasaktësi