Barcelona ka njoftuar se do të mbajë logon e GOLF WANG, markës së themeluar nga artisti amerikan Tyler, The Creator, në fanellën për El Clasicon kundër Real Madridit më 25 tetor. Edicioni i posaçëm është pjesë e bashkëpunimit të klubit me Spotify dhe do ta vendosë markën në pjesën e përparme të fanellës.
Skuadra e femrave e Barcelonës do të jetë e para që do ta përdorë këtë fanellë, në takimin e Liga F më 24 tetor. Një ditë më pas, ekipi i meshkujve do të presë Real Madridin në Camp Nou, në ndeshjen e xhiros së dhjetë të La Ligas.
Risia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe përtej veshjes së ndeshjes. Për herë të parë në këto fushata, Spotify ia ka besuar artistit dhe markës së tij kontrollin e plotë krijues të materialeve grafike dhe audiovizuale që shoqërojnë prezantimin.
Në shitje do të dalin 1.899 fanella të një edicioni të kufizuar, me cilësinë e atyre që përdoren në ndeshje. Një tjetër version do të ketë vetëm 22 kopje, me firma të futbollistëve dhe futbollisteve nga dy takimet. Do të ofrohen edhe 11 fanella të nënshkruara nga Tyler, The Creator.
Sipas gazetës AS, edicioni i kufizuar do të kushtojë 499,99 euro, ndërsa versionet me firma do të shiten për 2.999,99 euro. Fanellat do të jenë të disponueshme në dyqanet dhe platformën zyrtare të Barcelonës, si dhe në kanale të përzgjedhura të Nike.
Bashkëpunimi përfshin gjithashtu një koleksion veshjesh dhe aksesorësh me identitetin e Barcelonës dhe GOLF WANG. Ndër produktet janë xhaketa, tuta, bluza, çorape dhe një shall i posaçëm.
Më 24 tetor, Spotify do të organizojë në Barcelonë aktivitetin Copa De Golf, me muzikë dhe pjesëmarrjen e artistëve të lidhur me universin krijues të markës. Fanella me logon GOLF do të përfshihet edhe në lojën KONAMI eFootball nga 23 tetori.
Tyler, The Creator i bashkohet listës së artistëve të përfaqësuar më parë në fanellën e Barcelonës përmes Spotify, ku përfshihen Drake, Rosalía, The Rolling Stones, Karol G, Coldplay, Travis Scott, Ed Sheeran dhe Olivia Rodrigo. /FCBARCELONA.COM
Raporto një pasaktësi